Postuar me: 8:08 28-05-2012

Zgjedhja e Presidentit: Sot nisin negociatat mes PD-së dhe PS-së

Partia Demokratike dhe ajo Socialiste pritet te nisin te dielen negociatat për zgjedhjen e presidentit të ri, votimi i parë për të cilin do të kryehet të mërkurën në 30 maj.

Kryeministri Sali Berisha, njëherazi kryetar i Partisë Demokratike, ka mandatuar kryetarin e grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi dhe deputetin Edmond Spaho për negociata me opozitën. Ndërsa Partia Socialiste ka mandatuar kryetarin e grupit parlamentar Gramoz Ruçi dhe deputetin Sajmir Tahiri.

Takimi në nivel kryetarësh grupesh parlamentare do të zhvillohet në mjediset e Kryesisë së Kuvendit. Ai u njoftua dy ditë më parë nga Kryeministri Berisha, pas takimeve me kryetarët e partive aleate në qeverisje, nga të cilat siç u shpreh Kryeministri rezultoi se kishte një përputhshmëri të plotë lidhur me përpjekjet për zgjedhjen e një presidenti me konsensusin më të gjerë të mundshëm.

Në reagimin e tij lidhur me këto negociata, kryesocialisti Edi Rama ka thënë se e ka ftuar zyrtarisht Kryeministrin Berisha javë më parë, “por ai ka refuzuar të përgjigjet zyrtarisht siç i takon”. “Kryeministri mund të takojë të tjerët për teatrin e tij, jo Partinë Socialiste. Nëse do negociata me ne, duhet të biem dakord paraprakisht për modalitetet”, është shprehur Rama, i cili nga ana e tij ka zhvilluar nje seri takimesh me kryetarët e partive parlamentare, të djathta dhe të majta, lidhur me cështjen e zgjedhjes së presidentit duke këmbëngulur se opozita kërkon një president që të jetë mbi partitë dhe të përfaqësojë unitetin e kombit.

Në 30 maj Kuvendi i Shqipërisë do të kryej votimin e parë për presidentin e ri të vendit. Vendimi u mor në 24 maj nga Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare brenda afateve që Kushtetuta përcakton lidhur me procedurat për zgjedhjen e presidentit.

Kushtetuta parashikon 5 raunde votimesh nga të cilat tre të parat kërkojnë një shumicë të cilësuar, pra 84 vota ndërsa dy të tjera një shumicë të thjeshtë, 71 vota.

Aktualisht palët nuk kanë paraqitur asnjë kandidaturë zyrtare për raundin e parë. Kushtetuta përcakton që emri i kandidatit për president duhet të prezantohet të paktën 24 orë përpara votimit, në mënyrë që Komisioni i Ligjeve të verifikojë përputhshmërinë me kriteret. Nëse nuk do të ketë kandidat presidencial, kushtetuta përcakton se votimi cilësohet i kryer e më pas do të duhet të caktohet brenda 7 ditëve të ardhshme data e raundit të dytë.

I vetmi kandidat i vetëshpallur për president është ish-lideri historik i së majtës Fatos Nano, të cilit i duhet të siguroj firmën e 20 deputetëve për të garuar për këtë post.

Burimi:Albannews.gr

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.